Aliu: Pas vitit 2015, është dashur të bëhen reforma të mëdha strukturore në ekonomi
Ekonomisti Florin Aliu ka vlerësuar se Kosova, pavarësisht rritjes ekonomike pas vitit 2015, ka mbetur prapa vendeve të rajonit për sa i përket të ardhurave për

Ekonomisti Florin Aliu ka vlerësuar se Kosova, pavarësisht rritjes ekonomike pas vitit 2015, ka mbetur prapa vendeve të rajonit për sa i përket të ardhurave për frymë banori, duke u renditur sot si vendi i fundit në Evropë.
Duke iu referuar raporteve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Aliu ka thënë se edhe vende që dikur kanë qenë në gjendje më të keqe ekonomike se Kosova, si Moldavia, sot kanë kaluar përpara saj. Sipas tij, rritja ekonomike duhet parë në raport me madhësinë e ekonomisë, pasi vendet me ekonomi të vogël mund të shënojnë përqindje më të larta rritjeje, por sërish të mbesin në nivele të ulëta zhvillimi.
“Gjermania me 82 milionë banorë rritet 1–2 për qind dhe është shumë e vështirë ta shtysh përpara një motor kaq të madh ekonomik. Ne jemi rritur, por jo mjaftueshëm për t’i kapur vendet e rajonit”, ka thënë Aliu në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai kujtoi se deri në vitin 2015, Kosova kishte nivele të ngjashme të të ardhurave për frymë banori me Shqipërinë, gjë që, sipas tij, ishte rezultat i disa faktorëve si inercia pas shpalljes së pavarësisë, ndihmat e huaja, privatizimet e mëdha, investimet kapitale dhe rritjet e pagave, të cilat krijuan një “bum” ekonomik.
“Pas vitit 2015 është dashur të bëhen reforma të mëdha strukturore në ekonomi për të kapur diferencën që u krijua. Kjo nuk ka ndodhur në masën e duhur”, u shpreh ai.
Aliu vlerësoi pozitivisht politikën e shtesave për fëmijë, duke e cilësuar atë si një reformë të nevojshme dhe të drejtë që meriton përkrahje.
Ai foli edhe për zhvillimet në Shqipëri, duke thënë se ardhja e Edi Ramës në pushtet ka sjellë një kthesë në ekonomi, veçanërisht përmes reformës së Rilindjes Urbane dhe transformimit të qyteteve në funksion të turizmit, si mënyrë për të gjeneruar të ardhura nga jashtë.
Sa i përket politikave të pagave në Kosovë, Aliu ka thënë se paga minimale duhet të vendoset sa më shpejt në nivelin 500 euro, duke theksuar se kjo nuk do të kishte efekt negativ në ekonomi. Sipas tij, qeveria është dashur t’i rrisë pagat e sektorit publik për rreth 50 për qind, në mënyrë që të kapet ritmi i vendeve të rajonit.
“Nuk e di pse nuk është bërë kjo, ndoshta po tentohet të kompensohet përmes rritjes së pagës minimale”, shtoi ai.
Në fund, Aliu ngriti shqetësimin se Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk aplikon tatimin mbi dividentin, duke theksuar se njerëzit më të pasur përfitojnë nga ekonomia e vendit pa paguar asnjë cent.
CER InstituteCER Institute Take on this articleClick to show
This is where the CER Institute analysis will appear. We summarize implications, highlight missing context, and provide evidence‑based perspective.